Na ndiqni Facebook Instagram

Vitet e fundit, zhvillimi i bujqësisë në Shqipëri si dhe në mbarë botën po përballet me një sërë sfidash. Fermerët e vegjël hasin vështirësi nga më të ndryshmet në cilësinë dhe çmimin e inputeve, në qasjen e tregut dhe informacionet teknike-bashkëkohore etj. Megjithatë, një problem i ri dhe në rritje është ai i ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre. Prania e ngjarjeve ekstreme të klimës është rritur në çdo vend, por shpërndarja e efekteve nuk është njëjtë, as midis vendeve dhe as midis kulturave bujqësore.

Në Shqipëri vërehet gjithashtu një rritje e ndikimit të faktorëve klimatikë në sektorët e bujqësisë. Dinamika e këtyre zhvillimeve për rrjedhojë është shqetësuese për të gjithë fermerët, por veçanërisht, për ulli-rritësit dhe fermerët-prodhues në serra.
Për arsye se, faktorët klimatikë të tillë si:
-erërat e forta, dëmtojnë serat,
-temperatura dhe luhatjet e saj, shkaktojnë humbje të prodhimit,
-reshjet e shiut ndikojnë në infrastrukturën bujqësore, rrjedhimisht edhe në rritjen e kostove dhe në uljen e të ardhurave për fermerët prodhues në sera.

Vlerësimi i faktorëve klimatikë të mësipërm, si rrjedhojë po tërheq gjithnjë e më tepër vëmendjen e ekspertëve.

I tillë është edhe studimi i realizuar në zonën kryesore të prodhimit bujqësor në Shqipëri, në rajonin e Lushnjës.

Metoda e përdorur konsistonte në përdorimin e një modeli regresioni, i cili testonte lidhjet e faktorëve të klimës si: era, temperatura dhe reshjet e shiut, me të ardhurat e fermerëve.

Rezultatet treguan se, reshjet nuk kanë ndikim në të ardhurat e fermerëve, kjo për shkak të pozicionit gjeografik të zonës së marrë në studim. Kullimi i tokës në këtë zonë është më i favorizuar duke i dhënë mundësinë fermerëve t’ju shmangen shpenzimeve që nevojiten për t’u mbrojtur nga përmbytjet e mundshme. Ndërsa për sa i përket faktorëve të tjerë klimatikë si era dhe temperatura, rezultoi se ndikimi i tyre është i konsiderueshëm. Përveç se në ciklin e prodhimit bujqësor, këto elementë ndikojnë edhe në tregtimin e produktit e si rrjedhojë, edhe në të ardhurat e fermerëve.

Në fund theksojmë se, gjetjet e studimit janë të një rëndësie teorike dhe praktike për fermerët. Teorikisht ato mbështesin ndikimin e erërave dhe temperaturës ndaj të ardhurave, fakt i cili mund të shërbejë për kërkimet e ardhshme. Gjithashtu, nga ana praktike janë të vlefshme sepse mund të ndihmojë fermerët në zgjedhjen e inputeve dhe teknologjive të përshtatshme për një prodhim bujqësor sa më cilësor.

Prof. Asoc. Dr. Rezear Kolaj, Dr. Alban Jaupaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *